Kurti në Munih me senatorë amerikanë: Radoiçiq të dorëzohet, të nënshkruhet Marrëveshja Bazike dhe të tërhiqet letra e Brnabiqit

Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego. Ai shoqërohej në këtë takim nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. 

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleatin tonë kryesor. Progresi i Kosovës në aspektin demokratik dhe atë ekonomik u theksua përgjatë takimit. 

Kryeministri foli edhe rreth orientimit euro-atlantik dhe objektivit e angazhimit tonë të vazhdueshëm për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. 

Në lidhje me raportet me Serbinë, Kryeministri theksoi rëndësinë e dorëzimit të kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për organizimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023; nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike; tërheqjes së letrës së Brnabiq ku thuhet se nuk do të respektohet integriteti territorial i Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP