Kurti mirëpret Ambasadorin e Finlandës: Diskutohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetja ndërkombëtare
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyrën e tij Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Takimi dhe bashkëbisedimi i sotëm ndër të tjera u përqendrua rreth vizitës së ministres së Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen në Kosovë më 5 shtator.
Kryeministri u shpreh se ishte kënaqësi ta mirëpresim ministren Valtonen në Prishtinë dhe ndërtesën e Qeverisë për të diskutuar rreth marrëdhënieve bilaterale, çështje me interes për të dy palët dhe për mënyrat e fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej bashkëpunimi e raportet, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe mbrojtjes.
Si vazhdimësi e takimit të 5 shtatorit, kryeministri dhe ambasadori Nissinen folën për përgatitjen e nevojshme për realizimin e vizitës së një delegacioni të përfaqësuesve të bizneseve finlandeze për të hulumtuar mundësitë dhe avantazhet që vendi ynë ofron për investitorë të huaj.
Ai e falënderoi ambasadorin Nissinen për bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e suksesshëm të vizitës së ministres Valtonen dhe për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme të Finlandës ndaj Kosovës, si në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare ashtu edhe në zhvillimin e brendshëm institucional dhe shoqëror. /Kosova.info/