Kurti kujton Ukshin Hotin, thotë se me deklaratën për të zhdukurit Serbia e ka pranuar krimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kujtuar 24-vjetorin e zhdukjes së atdhetarit Ukshin Hoti.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka shkruar se me nënshkrimin e deklaratës për personat e zhdukur, Serbia e ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës në Kosovë.

“Zhdukja e tij është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

Go to TOP