Kurti: Komuniteti protestant dha një kontribut gjithëpërfshirës në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i pranishëm në manifestimin e 40-vjetorit të themelimit të Kishës së Parë Ungjillore Shqiptare në Prishtinë, tha se gjatë katër dekadave, Kisha protestante ka qenë një vend besimi, një vatër shprese, një hapësirë solidariteti dhe qendër solidariteti në bashkëjetesën e shoqërisë sonë.

“Viti 1985 shënon hapjen zyrtare të Kishës protestante me emrin Bashkësia e Popullit të Zotit, ndonëse veprimtaria ka një historik në vendin tonë, që zanafillën e ka në shekullin e kaluar, prandaj edhe lëvizja protestante është më e moshuar se kaq,” tha ai.

Kurti shtoi se që nga themelimi e deri më sot, komuniteti protestant ka konsoliduar praninë e vet, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën shpirtërore, arsimore, shoqërore, kulturore dhe humanitare të shumë qytetarëve në Kosovë.

“Gjatë këtyre viteve Kisha protestante ka qenë një zë i paqes shoqërore, i dinjitetit shpirtëror dhe i shërbimit popullor për të mirën e përbashkët. Kjo përputhet me vizionin e shtetit tonë për një shoqëri demokratike, të zhvilluar, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse,” tha ai.

Kurti shtoi se në Kosovë, diversiteti kulturor dhe fetar përbëjnë një ndër pasuritë dhe shtyllat themelore të shtetit tonë gjithëpërfshirës dhe demokratik.


Go to TOP