Kryeziu sfidon Enver Hasanin: Debat ku të duash dhe kur të duash – pa dorëza e pa filtra
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar me një letër publike drejtuar ish-kryetarit të kësaj gjykate, Enver Hasani duke i ofruar një debat publik dhe duke e akuzuar për deformim të rendit kushtetues në vend.
Në reagimin e tij, Kryeziu kritikon Hasanin për një deklaratë të dhënë për Gazetën Express, ku Hasani kishte thënë se do t’i përgjigjej vetëm nëse Kryeziu do të mund ta riprodhonte “me gojë” shkrimin e tij në një emision televiziv. Kryeziu ironizon këtë përgjigje, duke thënë se “e preferon me sllajde” dhe se nuk jemi më në zyrat ku askush nuk sheh, por në publik, ku studentët dhe qytetarët presin përgjegjësi.
“Nuk na ka hije të bëjmë lojëra fjalësh”, shkruan Kryeziu, duke e ftuar Hasanin në një debat të hapur, nën moderimin e një gazetari të paanshëm dhe profesionist.
Kryeziu e akuzon Hasanin se ka kontribuar në degradimin e kuptimit të ligjshmërisë dhe të funksionimit të Republikës, duke risjellë në vëmendje një vendim të vitit 2011, në të cilin, sipas tij, Hasani ka shkelur parimet e Kushtetutës duke e interpretuar si obligim pjesëmarrjen dhe votimin e deputetëve në seanca. Ai thotë se kjo bie ndesh me të drejtën e përfaqësuesve të zgjedhur për të refuzuar pjesëmarrjen si formë e vullnetit të lirë politik.
Në fund, Kryeziu paralajmëron se ka edhe më shumë për të thënë, por po i ruan për herë tjetër, ndërsa e akuzon Hasanin për “mëkate” ndaj Republikës dhe për një “plan të errët për grusht shteti të heshtur”.
“Të pres në debat, ku të duash dhe kur të duash”, përfundon ai. /Kosova.info/
