Kryeziu: Presidenti Trump është i kthjellët dhe i qartë, deklarata e tij për Kosovën u keqinterpretua nga Serbia
Në vazhdimësi të reagimeve pas deklaratës së ish-emisarit amerikan Richard Grenell ndaj Presidentes Vjosa Osmani, ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Kadri Kryeziu ka publikuar një letër të re publike, ku kundërshton ashpër pretendimet për konfuzion në deklaratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Kryeziu thekson se është në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin shqiptar në SHBA dhe me miq të tjerë me ndikim në Washington D.C. Sipas tij, aludimet e Grenellit, që e krahasojnë deklaratën e Trump me linjën e komunikimit të zyrtarëve serbë, janë jo vetëm të pasakta por edhe fyese për Kosovën.
“Presidenti Trump është një lider historik, tepër energjik, shumë i kthjellët dhe i qartë, si në artikulim ashtu edhe në gjykime”, shkruan Kryeziu duke theksuar se krahasimi me Presidentin Biden, i cili sipas tij shpesh ka treguar shenja konfuzioni, është i papranueshëm.
Ai përmend deklaratën e Trump më 27 qershor 2025 në Shtëpinë e Bardhë, ku ish-presidenti amerikan foli për një “përparim të jashtëzakonshëm për paqen” dhe përmendi specifikisht edhe Kosovën dhe Serbinë. Kryeziu thotë se kjo është provë e qartë se Trump po i referohej zhvillimeve aktuale dhe jo një ngjarjeje të ndodhur pesë vite më parë.
Në letrën e tij, Kadri Kryeziu ofron një interpretim të veçantë të frazës së Trump “I have a friend in Serbia” duke thënë se ish-presidenti amerikan i është referuar Rod Blagojevich, përmes të cilit presidenti serb Vuçiq kishte dërguar një mesazh kërcënues ndaj Kosovës. Sipas Kryeziut, ky mesazh kishte të bënte me mundësinë e një ndërhyrjeje të Serbisë në Kosovë për shkak të presioneve të brendshme politike në Beograd.
Ai përfundon letrën e tij duke theksuar se Presidentja Osmani ka thënë të vërtetën për kërcënimet e freskëta të Serbisë ndaj Kosovës dhe e falënderon Presidentin Trump për kujdesin dhe përkushtimin e tij ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Zoti ia zgjastë jetën Presidentit Trump, për kujdesin e tij ndaj Kosovës dhe përkushtimin e tij të palodhur për paqe në botë”, përmbyll Kryeziu. /Kosova.info/
