Kryeziu i zhgënjyer me Rexhajn: Gjykatësit e PZAP s’mund të udhëhiqen nga dëshirat politike
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit dhe profesori universitar, Kadri Kryeziu, ka reaguar ndaj një postimi të deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, lidhur me procesin e certifikimit të Listës Serbe nga PZAP.
Në një shënim drejtuar ish-nxënësit të tij, Kryeziu shprehet i zhgënjyer me mesazhet e tilla që sipas tij janë shpërndarë edhe nga deputetë të tjerë të VV-së. Ai thekson se gjykatësit e PZAP marrin vendime vetëm mbi bazën e ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, e jo mbi dëshirat politike.
“Me shumë gjasë, Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret ligjore për certifikim dhe ky proces nuk mund të ndalet. Përderisa kisha mirëkuptim për pozicionin politik KUNDËR në KQZ të VV-së, e kam të pamundur ta mirëkuptoj përpjekjen për të ushtruar presion kundër gjykatësve të PZAP”, shkruan Kryeziu.
Ai shton se patriotizmi i një gjykatësi dëshmohet vetëm duke punuar mbi bazën e ligjit dhe se çdo retorikë tjetër është “llaf i kotë dhe folklorizëm popullist”.
Kryeziu i kujtoi Rexhajt se si deputet i Kuvendit, me partinë që ka numrin më të madh të ulëseve, ka mundësi të iniciojë ndryshimin e ligjit për zgjedhje nëse e konsideron të padrejtë, ndërsa çdo përpjekje për presion ndaj gjykatësve e cilësoi si të papranueshme dhe të dëmshme për interesat madhore të shtetit.
Ndërkaq, Rexhaj më herët kishte shkruar se “fatin e Kosovës tash e kanë në dorë tre nga dhjetë gjykatësit e PZAP, që zgjedhen me short” duke publikuar edhe linkun me listën e anëtarëve të këtij institucioni. /Kosova.info/
