Kryeziu: Dikur opozitë e Rugovës me Abdixhikun, sot ai po e kthen LDK-në në një parti rajonale
Profesori Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku duke e akuzuar se po e çon LDK-në drejt shkatërrimit politik.
Në një postim të tij, Kryeziu ka kujtuar periudhën kur ai dhe Abdixhiku kishin qenë opozitë e brendshme ndaj Presidentit historik Ibrahim Rugova, por sipas tij, motivet e tyre kishin qenë krejtësisht të ndryshme.
“Njëherë e një kohë, opozitë e Presidentit Rugova ishim të dy – unë dhe Lumir Abdixhiku. Unë, si pjesë e krahut të luftës që LDK-ja aso kohe na quante ‘majtistë’; dhe Lumiri, si pjesë e SOROS-it – asaj agjende të mbrapshtë që punonte ditë e natë për ta rrënuar traditën kombëtare të LDK-së,” ka shkruar ai.
Kryeziu theksoi se, ndryshe nga Abdixhiku, krahu “majtist” i LDK-së nuk kishte kurrë dallime kombëtare me Rugovën, por vetëm në metodologji. Ai akuzoi kryetarin aktual se po ndjek një agjendë që “shthur trungun kombëtar” dhe zëvendëson frymën rugoviane me “harrna kozmopolite që flasin me admirim për Beogradin”.
“Ne, rivalët e dikurshëm të Rugovës, nuk kemi hezituar asnjëherë ta nderojmë figurën e tij. Ndërsa harrnat e SOROS-it ia përmendin emrin vetëm sa për të larë gojën,” ka shtuar Kryeziu.
Ai paralajmëroi se nëse Abdixhiku vazhdon me këtë drejtim, LDK-ja rrezikon të shndërrohet në një parti rajonale.
“Siç po shkon puna, nëse Lumiri vazhdon të rrijë aty ku është – një Tito i vogël që djeg gjithçka për karrige dhe për egon e vet – LDK-ja do të kthehet në një parti rajonale,” ka përfunduar Kadri Kryeziu. /Kosova.info/
