Kryeqyteti përkujtoi dëshmorët e rënë 25 vjet më parë për lirinë e vendit

Dita e Dëshmorëve të Prishtinës është dita për ta nderuar sakrificën e të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, të cilët ranë për lirinë tonë, u tha në Akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorëve të komunës së Prishtinës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ka ardhur koha e jetësimit të ëndrrës së tyre, çlirimit dhe zhvillimit të vendit.

“Ata janë lavdia e gjaku i falur për këtë tokë dardane. Ju bëjë thirrje të shkojmë edhe më thellë, t’i kujtojmë e ta rikujtojmë vendosmërinë e tyre. Le ta mendojmë për një çast vendosmërinë e asaj kohe. Lufta e tyre nuk u bë vetëm për t’i shembë muret e shtypjes, por sakrificën e tyre duhet ta jetësojmë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Zotohemi të bëhemi brezi që jetëson ëndrrën e tyre, për unitet e zhvillim të përgjithshëm”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka kujtuar dëshmorët e rënw për çlirimin e vendit dhe luftëtarët, ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

“Siç i kemi të freskëta kujtimet e atyre që kemi humbur në luftë,ashtu i kemi të freskëta kërcënimet nga shteti serb. Sot kujtojmë edhe luftëtarët që po mbahen në Hagë”, tha ai.

Autori i shumë librave që dëshmojnë krimet serbe në Kosovë, Nusret Pllana, ka thënë se përmasat e tragjedisë së luftës në Kosovë, nga agresori serb duhet të dokumentohen çdo ditë.

“Sot na ka tubuar gjaku i atyre që ranë në altarin e  lirisë, gjaku i atyre, dhembja e madhe e familjareve për ata që u mungojnë më së shumti. Por fatkeqësisht armiku më i madh i shqiptarëve është harresa, kryeqyteti ynë që 25 vjet nuk e ka gjetur një vend për t’ia ngritur një përmendore, komandantit legjendar, Adem Jasharit”, theksoi ai.

Komuna e Prishtinës përvitshëm më 18 prill kujton 76 dëshmorët e rënë në luftën për çlirimin e vendit.

Go to TOP