Kryeprokurori Kelmendi viziton Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara – synohet administrim më efikas dhe transparent

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, bashkë me Udhëheqësin e Zyrës për Rikthimin e Aseteve, z. Bahri Hyseni, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Ata u pritën në takim nga U.d. Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë, z. Alban Sutaj, me bashkëpunëtorët e tij.

Në qendër të diskutimit ishin planet dhe sfidat që lidhen me administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe arritjet kryesore të deritanishme të AAPSK-së. Palët theksuan domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për të garantuar një menaxhim më efikas, të ligjshëm dhe transparent të këtyre pasurive.

Në mënyrë të veçantë, u theksua rëndësia e parashtrimit të kërkesave në gjykatë për shitjen e pasurive të sekuestruara, me qëllim ruajtjen e vlerës së tyre dhe menaxhimin efektiv në përputhje me ligjin.

Të dy institucionet ritheksuan përkushtimin e tyre për një qasje të koordinuar dhe profesionale që ndihmon në forcimin e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional.

Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit në trajtimin e pasurive të sekuestruara duke përforcuar bashkëpunimin me të gjitha institucionet e drejtësisë dhe duke garantuar që pasuritë e konfiskuara të menaxhohen në mënyrë të drejtë dhe ligjore. /Kosova.info/


Go to TOP