Kryeprokurorët e Kosovës në Forumin Rajonal: Theksohet bashkëpunimi me EUROJUST dhe vendet fqinje në luftën kundër krimit të organizuar
Në sesionet e Forumit të Dytë Konsultativ të kryeprokurorëve të përgjithshëm dhe kryeprokurorëve specialë të Ballkanit Perëndimor, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, dhe prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, znj. Ilirjana Çollaku–Tafa e cila është pikë kontakti ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe EUROJUST-it, kanë zhvilluar takim me presidentin e EUROJUST-it, z. Michael Schmid.
Gjatë takimit u diskutua për rolin e EUROJUST-it në mbështetjen e shteteve partnere në hetimin e veprave penale që kapërcejnë kufijtë kombëtarë, si dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe EUROJUST-it.
U.d. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, vlerësuan lart rolin dhe mbështetjen e EUROJUST-it dhënë përmes Projektit për Drejtësinë Penale për Ballkanin Perëndimor, duke çmuar rezultatet pozitive të cilat i ka sjellë ky projekt në intensifikimin e luftimit të formave më të sofistikuara të kriminalitetit ndërmjet vendeve të rajonit.
Nga ana e tij, presidenti i EUROJUST-it, z. Schmid, përgëzoi institucionin e Prokurorit të Shtetit për rritjen e efikasitetit në bashkëpunimin juridik ndërkombëtar sa i përket trajtimit të rasteve komplekse ndërkufitare, duke potencuar se bashkëpunimi me Kosovën mbetet një nga prioritetet kyç të kësaj agjencie.
Gjithashtu, u.d. Kryeprokurori Kelmendi, Kryeprokurori Isufaj dhe prokurorja Çollaku–Tafa, kanë zhvilluar takime bilaterale edhe me: Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, z. Olsian Çela, Kryeprokurorin Suprem të Malit të Zi, z. Milorad Markovic dhe Kryeprokurorin Special z. Vladimir Novoviç, me Prokurorin Publik të Maqedonisë së Veriut z. Ljupco Kocevski dhe Drejtuesin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, z. Islam Abazi.
Në të gjitha këto takime u theksua gatishmëria për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nxitjen e bashkëpunimit juridik ndërkufitar dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë ndërmjet prokurorive të vendeve të rajonit. /Kosova.info/
