Kriza politike në kulm – AKB kërkon Qeveri Teknike pa parti për të shpëtuar shtetin

Kosova po kalon një nga momentet më të vështira të saj institucionale dhe politike, me një krizë të thellë që po paralizon funksionimin e shtetit. Dështimi për të formuar institucionet pas zgjedhjeve, mungesa e një marrëveshjeje për qeverisje dhe politikat e ngushta partiake e kanë futur vendin në një gjendje alarmante.

Në këtë klimë të tensionuar, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kërkuar me urgjencë krijimin e një Qeverie Teknike, të pavarur dhe jopartiake, që të rikthejë normalitetin institucional dhe të shpëtojë vendin nga kolapsi i mëtejshëm politik.

“Qeveria Teknike nuk është luks, por domosdoshmëri. Duhet një qeveri profesionale që nuk i shërben partive, por qytetarëve, për të rikthyer funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të qëndrueshme politike,” u shpreh Agim Shahini, kryetar i AKB-së.

Sipas AKB-së, një Qeveri Teknike do të kishte katër prioritete kyçe:

1. Rikthimin e funksionalitetit të institucioneve kushtetuese dhe Kuvendit të Kosovës;

2. Qeverisjen neutrale dhe të përgjegjshme në një periudhë tranzitore;

3. Menaxhimin e krizës ekonomike, të buxhetit dhe çështjeve sociale;

4. Përgatitjen për zgjedhje të reja ose për një marrëveshje të qëndrueshme politike.

Shahini theksoi se qytetarët janë të zhgënjyer nga retorika boshe dhe bllokadat politike që kanë penguar zhvillimin dhe stabilitetin e vendit. Ai bëri thirrje për tejkalimin e inateve personale dhe për vendosjen e interesit të shtetit mbi çdo kalkulim partiak.

“Ata që e duan vërtet Kosovën, le ta tregojnë me vepra, jo me fjalë. AKB është e gatshme të angazhohet në këtë proces duke ofruar ekspertizën dhe lehtësimin e dialogut politik e shoqëror,” deklaroi në fund Shahini. /Kosova.info/


Go to TOP