Krimet e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë prezantohen në Parlamentin Evropian

Në ambientet e Parlamenti Evropian në Bruksel, u prezantua libri “Hallka më e Fortë: Një histori gojore e të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë”, në një aktivitet të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Delegacionin për marrëdhënie me Kosovën.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të takimit të rregullt të delegacionit dhe nisi me një këmbim mendimesh ndërmjet eurodeputetëve dhe ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Takimi u kryesua nga eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier.

Në fjalën e tij, ambasadori Bajrami informoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë procesin zgjedhor, formimin e institucioneve, miratimin e marrëveshjeve me Bashkimin Evropian dhe progresin në integrimin evropian, duke theksuar orientimin strategjik euroatlantik të vendit.

Pjesa e dytë e takimit iu kushtua prezantimit të librit nga autorja Anna Di Lellio dhe Kadire Tahiraj, drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas dhe kontribuuese në hulumtimin e rrëfimeve.

Libri dokumenton historitë gojore të grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke nxjerrë në pah krimet e rënda të përdhunimit të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile shqiptare.

Gjatë diskutimit u theksua se drejtësia për mijëra gra të dhunuara ende mungon dhe se askush nuk është dënuar për këto krime me karakter gjenocidal. Autorja Di Lellio nënvizoi se ndjekja e drejtësisë është thelbësore, sidomos në një kohë kur përdorimi i dhunës seksuale si armë lufte vazhdon të përsëritet në konflikte të tjera, përfshirë luftën në Ukrainë. /Kosova.info/


Go to TOP