Krasniqi: Politika pa analiza i kushton popullit, jo politikanëve
Veprimtari i çështjes kombëtare, Milazim Krasniqi, ka shprehur shqetësimin e tij për nivelin e dijes politike te një pjesë e madhe e politikanëve në Kosovë duke theksuar se mungesa e analizave serioze po sjell pasoja për qytetarët dhe shtetin.
Në një reagim publik, Krasniqi tha se ndihet i lumtur që prej kohësh është larguar nga politika aktive, por njëkohësisht ndien siklet kur sheh, sipas tij, nivelin e ulët të njohurive politike te shumica e politikanëve në vend.
Ai rikujtoi periudhën e okupimit duke thënë se edhe pse rrethanat nuk lejonin funksionimin normal të institucioneve dhe proceseve politike, ekzistonte një vizion më i qartë për mënyrën se si duhej të zhvilloheshin gjërat.
“Disa prej nesh, me vite të tëra, pa u dukur shumë e pa u krekosur, kemi bërë analiza. Për partinë, për institucionet. Analiza korrekte ndihmon të mos e huqësh cakun, e pakta të mos e ngatërrosh aleatin me kundërshtarin”, ka deklaruar ai.
Sipas Krasniqit, analiza politike është një element thelbësor për vendimmarrje të drejtë dhe për shmangien e gabimeve strategjike që mund të dëmtojnë interesat e shtetit dhe të qytetarëve.
Në fund, ai dha një mesazh kritik për klasën politike duke theksuar se pasojat e politikës së paanalizuar nuk i vuajnë domosdoshmërisht politikanët, por qytetarët.
“Si rregull: politika pa analiza mund të mos u shkaktojë dëme politikanëve, por ajo gjithmonë i thyhet për kokë popullit”, ka përfunduar Krasniqi. /Kosova.info/
