Krasniqi pas intervistës së Thaçit nga Haga: Ishte një thirrje për të qëndruar dhe për të mos u dorëzuar kurrë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas intervistës së Hashim Thaçit të transmetuar sonte nga Haga duke e cilësuar atë si një fjalë reflektuese, të thellë dhe të fuqishme për drejtësinë dhe të ardhmen e Kosovës.
“Sonte, Presidenti Hashim Thaçi na foli nga Haga. Jo si ish-President. As si një burrë që ka kaluar gati pesë vite në qeli. Por si një njeri që ende e mbron me shpirt luftën dhe sakrificën për liri”, shkruan Krasniqi.
Ai thekson se Thaçi nuk kërkoi mëshirë e as nuk u ankua, por foli me bindje të thellë për drejtësinë e kauzës që ka ndjekur populli i Kosovës.
“Hashim Thaçi nuk do t’ia ndërronte rrugën jetës, edhe sikur ta dinte çmimin paraprakisht. E këtë nuk e thotë për vete, por për ne, për gjeneratat që duhet të ecin përpara pa harruar sakrificën”, thekson Krasniqi.
Ai kujton edhe dhimbjen personale të Thaçit, që gjatë qëndrimit në paraburgim humbi babanë e tij duke nënvizuar se “sytë e Presidentit Thaçi janë ende të hapur për Kosovën dhe për drejtësinë – që bashkë me çlirimtarët e tjerë po e pret me durim e urtësi”.
Në përfundim, Memli Krasniqi e cilëson intervistën si më shumë se një rrëfim – një thirrje për qëndresë dhe për të mos u dorëzuar asnjëherë.
“Të gjithë kemi çfarë të mësojmë nga Hashim Thaçi. Sonte, edhe më shumë. Të presim me padurim në Kosovë, President!”, përfundon reagimin e tij Memli Krasniqi. /Kosova.info/
