Krasniqi: Ne vijmë me ofertën më të mirë për të gjitha komunat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në ditën e parë të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, përmes një video-mesazhi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i japin mbështetje numrin 191 me të cilin PDK-ja është në këtë garë lokale.

Shefi i PDK-së tha se katër vite më parë qytetarët i besuan më së shumti komuna, e sipas tij, PDK-ja iu përgjigj besimit qytetar me punë konkrete.

“Kudo që ka qeverisur PDK-ja dhe kryetarët nga radhët tona, kemi formuar model qeverisjeje shembullore, punë, transparencë e përkushtim. Ne vijmë me ofertën më të mirë për të gjitha komunat, ofertë realiste, moderne e të përqendruar tek nevojat tuaja. Tani është koha për një fitore të re, sepse aty ku fiton PDK-ja , fiton qytetari”, tha Krasniqi.

Ai tha se zgjedhja është thjeshtë. “Për qeverisje të përgjegjshme që kryen punë e që e mbajnë fjalën. Me 12 tetor ekziston një mundësi konkrete të bëhet ma mirë për komunën tuaj, PDK e numri 191”, tha Krasniqi në video-mesazhin e tij drejtuar qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP