Krasniqi-Maqedonci diskutojnë bashkëpunimin KOK-MB, fokus edukimi dhe Prishtina 2030

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka pritur sot në takim ministrin në detyrë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Gjatë takimit, Krasniqi e falënderoi ministrin Maqedonci për vizitën dhe e njohu me sukseset e sportit dhe sportistëve të Kosovës, si dhe me të arriturat e Komitetit Olimpik të Kosovës duke vënë theks të veçantë në fitimin e të drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Palët diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet KOK-ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes, veçanërisht në projekte konkrete përmes Akademisë Olimpike të Kosovës, me fokus në fushën e edukimit dhe trajnimit.

U bë e ditur se në javët në vijim pritet të bashkërendohen takime ndërmjet drejtuesve të Akademisë Olimpike të Kosovës dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim konkretizimin e këtij bashkëpunimi dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në shërbim të sportit dhe edukimit. /Kosova.info/


Go to TOP