Krasniqi: LVV me rënien më të madhe në zgjedhjet 2025, PDK dhe LDK rriten
Njohësi i zgjedhjeve, Albert Krasniqi, ka analizuar rezultatet e votimeve në Kosovë për zgjedhjet e vitit 2025 duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shënuar rënien më të madhe, me një humbje prej 9.4% të votave krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Sipas Krasniqit, edhe koalicioni AAK-NISMA ka pësuar një ulje të përkrahjes me 2.2% duke krahasuar votat e tyre të kombinuara nga zgjedhjet e kaluara.
“Nga ana tjetër, PDK dhe LDK janë dy partitë që kanë shënuar rritje. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 5.0% më shumë vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar një rritje prej 4.9%”, ka shkruar ai.
Këto ndryshime elektorale, sipas Krasniqit, tregojnë një rikonfigurim të skenës politike në Kosovë, duke reflektuar ndryshimin e preferencave të votuesve në krahasim me zgjedhjet e kaluara. /Kosova.info/
