Krasniqi: 2 korriku i 1990-s, vendim me rëndësi politike e historike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se miratimi i Deklaratës Kushtetuese për Kosovën më 2 korrik 1990 – është një ndër vendimet më të rëndësishme politike e historike të shprehjes së vullnetit të popullit tonë për çlirim dhe pavarësi, përmes një akti politiko-juridik.

Krasniqi po ashtu ka thënë se kjo deklaratë, që mishëron parimet e barazisë, lirisë  dhe demokracisë, i parapriu hartimit dhe miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, si dhe proceseve tjera në përpjekjet e gjata të shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

“Mirënjohje për të gjithë delegatët, të cilët përmes kësaj deklarate demonstruan guxim dhe maturi politike duke e shpallur Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me të gjitha Republikat tjera të ish-Jugosllavisë, ndonëse ndërtesa e Kuvendit ku ata ishin mbledhur, ishte e rrethuar nga policia serbe”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Kosova.info/

Go to TOP