KQZ miraton rekomandimet nga zgjedhjet 2025, hapet rruga për ndryshime ligjore – debat për ndryshimet kushtetuese dhe ulëset e rezervuara
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga punëtoria për mësimet e nxëna nga zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025 duke hapur rrugën për ndryshime eventuale në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe në Ligjin për financimin e subjekteve politike.
Gjatë mbledhjes, pati diskutime dhe rezerva rreth disa rekomandimeve që prekin edhe çështje kushtetuese.
Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi, tha se një nga rekomandimet kërkon ndryshime kushtetuese dhe si i tillë është jashtë kompetencave të KQZ-së.
“Në fakt parimisht i mbështes rekomandimet për të cilat kemi punuar së bashku. Kam disa rezerva në tri çështje që i konsideroj jashtë domenit tonë. Kemi një rekomandim që kërkon ndryshime kushtetuese dhe kjo i përket ligjvënësve. Parlamenti i Kosovës nuk ka arritur të ndryshojë as Ligjin për Zgjedhjet Lokale, e lëre më të hyjë në ndryshime kushtetuese”, tha Gashi duke shtuar se edhe çështja e numrit të kandidatëve në lista u takon vetë subjekteve politike.
Ndërkaq, anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, theksoi se KQZ-ja ka për detyrë të japë rekomandime profesionale, pavarësisht nëse ato janë obligative apo jo.
“Ne si trup profesional e kemi për detyrë me bë rekomandime. Për brenda i ndryshojmë rregulloret vetë, por për çështje ligjore dhe kushtetuese japim rekomandime me arsyetime. Rekomandimi nuk është obligativ, por është përgjegjësi e jona si institucion që zbaton ligjin”, tha Kurteshi.
Edhe anëtari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti, u shpreh se secili rekomandim do të rishqyrtohet para se të procedohet.
“Do t’i diskutojmë në planin e punës dhe do të procedohen si rekomandime. Ka propozime që janë diskutuar edhe në grupet punuese për reformën zgjedhore, përfshirë rekomandime nga misioni vëzhgues i BE-së. Është parë që aktualisht mungon momentumi për ndryshime kushtetuese, por nevoja mbetet”, deklaroi Hamiti.
Në mbledhje u ngrit edhe çështja e ulëseve të rezervuara për komunitetet. Përfaqësuesi serb në KQZ u ankua se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk e trajton qartë se kujt i takojnë vendet e rezervuara dhe kush bën verifikimin e përfituesve.
Ai tha se, sipas tij, në çdo palë zgjedhje ka grupe të interesuara për keqpërdorimin e këtyre ulëseve dhe kërkoi që sekretariati të dalë me sugjerime konkrete për mënyrën e verifikimit duke përmendur edhe mundësinë e përdorimit të të dhënave nga regjistrimi i popullsisë për të identifikuar përmasat e komuniteteve.
Sami Hamiti e kritikoi përfaqësuesin serb për mungesën në punëtori duke theksuar se çështja ishte trajtuar aty, ndërsa ky i fundit u arsyetua se synon që tema të mos mbetet problem edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë mbledhje u shty miratimi i rekomandimit për ndarjen e mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2026. Sipas drejtorit të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike, Besnik Buzhala, buxheti për këtë fond mbetet rreth 4.8 milionë euro, sa ishte edhe vitin e kaluar. /Kosova.info/
