KPM: Zgjedhja e kryetarit rrit efikasitetin dhe shton kredibilitetin
Komisioni i Pavarur i Mediave ka dalë me një sqarim publik, pak ditë pasi ky institucion zgjodhi kryetarin e ri, derisa ende Jeton Mehmeti ishte kryetar në detyrë, por, kjo sipas KPM-së nuk është praktika e vetme. Një praktikë e tillë e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KPM-së para skadimit të mandatit të kryetarit në detyrë është regjistruar edhe më 2016.
Tutje në këtë sqarim thuhet se Rregullorja e Punës e KPM-së, e hartuar fillimisht në vitin 2012, dhe e amendametuar në vitin 2014, 2018 dhe tash më 2025, është bërë në pajtim me të njëjtin Ligj të KPM-së.
“Rregullorja e Punës e KPM-së nuk ka qenë asnjëherë në diskutim publik. Është interpretim i qartë ligjor që aktet e brendshme institucionale që rregullojnë procedurat e brendshme të punës së institucionit dhe që nuk rregullojnë ose përcaktojnë në çfarëdo forme marrëdhëniet me palët e jashtme (pra në këtë rast mediat e licencuara dhe publikun) nuk vendosen në diskutim publik”, thuhet ndër të tjera aty.
Thonë se anëtarët e KPM-së, janë të vetmit që kanë të drejtën dhe mund të ndryshojnë Rregulloren e Punës në çdo kohë. Sikurse sipas tyre, edhe zgjedhja e kryetarit bëhet ekskluzivisht nga anëtarët e Komisionit si e drejtë dhe obligim ligjor i tyre.
“Është obligim i anëtarëve të Komisionit që brenda kapaciteteve të tyre, të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që KPM të funksionojë në mënyrë sa më efikase dhe efektive, e që ndër të tjera nënkupton edhe evitimin e krijimit të vakumit institucional. Pra në rastin konkret, mungesën e kryetarit dhe nënkryetarit. Përveç tjerash, zgjedhja e kryetarit mundëson që me ardhjen e vetëm një anëtari të ri të KPM-së të krijohet kuorumi i duhur për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta. Në të kundërtën, duhet pritur ardhjen e dy anëtarëve të rinj, e që nga praktika e zgjedhjes së tyre mund të ketë raste me diferencë kohore disa mujore ose dhe vjetore”, thotë sqarimi i KPM-s.
Sipas këtij institucioni, zgjedhja e kryetarit, përveç që rrit efikasitetin dhe shton kredibilitetin e KPM-së, gjithashtu shton edhe gjasat për shkurtimin e kohës kur KPM-ja do të jetë në gjendje të ketë kuorumin e duhur për të marrë vendime.
“Një praktikë e tillë e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KPM-së para skadimit të mandatit të Kryetarit në detyrë është regjistruar edhe më herët respektivisht ri-zgjedhja e z. Adnan Merovcit me datë 09.03.2016, e që nuk ka pasur asnjë paqartësi. Kjo paraqet një historik institucional dhe precedent të ngjashëm, sa i përket funksionimit dhe punës së Komisionit”, thotë KPM-ja.
Sipas KPM-së, insistimi nga jashtë për të influencuar vendimmarrjen e KPM-së në drejtimin e lënies së qëllimshme vakante të pozitës së kryetarit, përveç që është në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit për KPM-në (Pavarësia e KPM-së), po ashtu rrezikon dobësimin e KPM-së si rregullator të medieve, dhe rrit gjasat që krijimi i kuorumit të domosdoshëm për marrjen e vendimeve të ketë vonesa të panevojshme dhe që me zgjedhjen e kryetarit janë evituar”, thuhet tutje aty.
Kanë shprehur shqetësimin, për siç kanë thënë nga raportimet e mediave për “shkarkim” në mënyrë të “paparalajmëruar” dhe të “befasishme” të ish-kryetarit.
“Për hir të sqarimit dhe transparencës ndaj mediave dhe qytetarëve, KPM-ja informon se çështja e zgjedhjes së kryetarit e nënkryetarit të ri është adresuar në dhjetor t vitit 2024 dhe diskutimet kanë vazhduar gjatë gjithë muajit janar 2025, deri në mbledhjen e 17 janarit 2025. Kërkesa formale për ndryshim të rregullores është bërë me 5 janar 2025. Ish-kryetari është dakorduar me datën 13 janar 2025 që të procedohet me zgjedhjen e kryetarit gjatë mbledhjes, përkundër që pika e zgjedhjes së kryesisë se re nuk ishte përfshirë në agjendë, siç ishte kërkuar nga shumica e anëtarëve të KPM-së”, vijon sqarimi i KPM-s rreth këtij rasti, derisa kanë thënë se mënyrë të padrejtë KPM-ja është akuzuar për ndikim politik. /Kosova.info/
