KPM për ‘Big Brother’: Kemi pranuar 7 ankesa, 4 për rastin e dhunës
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore është duke mbajtur takim me Komisionin e Pavarur tё Mediave, për rastin e Klan Kosovës.
Mbledhja është thirrur pas futjes së ish-burrit të një banoreje në reality show “Big Brother”, i cili sipas ish-bashkëshortes, akuzohet për dhunë në familje.
Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, ka thënë se kanë pranuar 7 ankesa nga qytetarët dhe institucione të ndryshme, ku disa nga to kanë dënuar veprimin e fundit të televizionit.
“4 ankesa kanë qenë për detyrimin e viktimës për të ndarë të njëjtin hapësirë me dhunuesin. Një ankesë tjetër kemi nga një qytetar që ky show televiziv është jo edukativ, andaj si KPM duhet ta ndaloni. Kemi një ankesë nga një person tjetër që thotë se ndihet i fyer për komentimet e analistëve të reality show”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka treguar se ankesa tjetër ka të bëjë me keqpërdorimin e inteligjencës artificiale nga ky show televiziv, “në kuptimin që një nga banorëve iu është bërë video përmes inteligjencës artificiale, gjoja se është babai i tij i ndjerë”.
“Nuk kemi arritur t’i trajtojmë asnjërën nga këto ankesa sepse kanë ardhur dje. Siç kemi pasur rastin me edicionet e kaluara të kësaj shfaqje televizive, i kemi trajtuar secilën ankesë dhe aty ku kemi gjetur se ka shkelje të Kodit të Etikës dhe rregulloreve tona, atëherë kemi marrë masa”, ka thënë ai.