Koreja e Jugut thërret ambasadorin rus, tensionet me Korenë e Veriut rriten

Koreja e Jugut thirri të premten ambasadorin rus për të protestuar ndaj paktit të ri të mbrojtjes së vendit me Korenë e Veriut, ndërsa tensionet kufitare vazhdojnë të rriten me kërcënime të paqarta dhe inkursione të shkurtra, në dukje aksidentale nga trupat e Koresë së Veriut.

Më herët të premten, motra e fuqishme e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un kërcënoi për hakmarrje, pasi aktivistët koreano-jugor fluturuan me balona që mbanin fletëpalosje propagandistike kundër Phenianit, përtej kufirit, derisa ushtria e Koresë së Jugut tha se kishte gjuajtur të shtëna paralajmëruese një ditë më parë për të zmbrapsur ushtarët e Koresë së Veriut, që kaluan për herë të tretë kufirin tokësor të rivalëve këtë muaj.

Kjo ngjarje ndodhi dy ditë pasi Moska dhe Pheniani arritën një pakt, duke u zotuar për ndihmë të ndërsjellë të mbrojtjes, nëse ndonjëra sulmohet, dhe një ditë pasi Seuli u përgjigj duke thënë se këtë marrëveshje do të konsideronte ofrimin e armëve për Ukrainën për të luftuar pushtimin e Rusisë, njofton AP.

Zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Hong Kyun, thirri ambasadorin rus, Georgy Zinoviev, për të protestuar ndaj marrëveshjes midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Kim Jong Un dhe i bëri thirrje Moskës që të ndalojë menjëherë bashkëpunimin e saj, të supozuar, ushtarak me Phenianin.

Kim, diplomati i Koresë së Jugut, theksoi se çdo bashkëpunim që ndihmon drejtpërdrejt ose indirekt Veriun të ndërtojë aftësitë e tij ushtarake, do të shkelte rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të përbënte një kërcënim për sigurinë e Jugut dhe paralajmëroi për pasojat për marrëdhëniet e Seulit me Moskën.

Go to TOP