Konjufca takon ambasadorin Szunyog, flasin për harmonizimin e ligjeve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.  

Në takim u bisedua për bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të perspektivës evropiane të vendit tonë. 

Kryetari Konjufca dhe ambasadori Szunyog u pajtuan për rëndësinë e përkushtimit ndaj stabilitetit rajonal, zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit, në kuadër të ecjes në drejtim të aspiratave eurointegruese të Republikës së Kosovës. 

Kreu i Kuvendit u shpreh se angazhimi parlamentar sa i përket miratimit të ligjeve dhe harmonizimi i tyre me BE-në është gjithnjë në fokus, duke përmendur gatishmërinë institucionale për konsultime sa më të shpeshta për rezultate sa më të mira. 

Ambasadori Tomáš Szunyog e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmërinë e mëtutjeshme për bashkëpunim të gjithanshëm, sipas nevojave të përmbushjes së synimeve të përbashkëta. /Kosova.info/

Go to TOP