Komiteti HatTrick miraton disa projekte, takimi i radhës në Prishtinë

Komiteti HatTrick i UEFA-s përmbylli punimet e tij në Helsinki të Finlandës, ku diskutoi për progresin e projekteve të federatave anëtare, e të cilat mbështeten nga UEFA.

I pranishëm në takim ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili është anëtar i këtij Komiteti. Gjatë kësaj mbledhjeje u diskutuan çështje të rëndësishme për të ardhmen e futbollit evropian dhe për projektet e reja.

Të gjitha projektet e paraqitura nga FFK morën miratimin e Komitetit HatTrick, me çka u dëshmua edhe njëherë angazhimi dhe përkushtimi i Federatës për zhvillimin e futbollit në Kosovë.

Po ashtu, Komiteti HatTrick theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të plotë të federatave anëtare me UEFA-n, por edhe FIFA-n (ku e pranishme ishte edhe përfaqësuesja e FIFA-s), duke siguruar koordinimin e duhur në çdo aspekt për përfitimet afatgjata të futbollit global.

Pikë e fundit e takimit ishte vendimi për vendin e mbajtjes së mbledhjes së radhës. Me unanimitet, Komiteti vendosi që takimi i radhës të mbahet në Prishtinë, në muajin mars 2025, ku nikoqire do të jetë Federata e Futbollit të Kosovës.

Ky vendim përbën një moment historik për FFK-në dhe për futbollin kosovar, duke pasur parasysh se për herë të parë që nga anëtarësimi në UEFA, një takim i nivelit të tillë të lartë të shtëpisë së futbollit evropian do të mbahet në Kosovë.

Presidenti Ademi shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj anëtarëve të Komitetit HatTrick për besimin dhe mundësinë e dhënë FFK-së që të jetë mikpritëse e këtij Komiteti dhe vlerësoi se kjo përbën një mundësi të shkëlqyer për promovimin e mëtejmë të futbollit kosovar. 

Go to TOP