Komisionet e Kuvendit përkrahin projektligjet

Komisionet e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur mbledhjet e radhës, në të cilat kanë shqyrtuar dhe përkrahur një sërë projektligjesh të rëndësishme për procedim të mëtejmë në Kuvend.

Komisioni për Buxhet, i drejtuar nga Enver Haliti, shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, si dhe Projektligjin për Shërbimet e Pagesave, duke i rekomanduar të dyja për miratim në seancë plenare.

Ndërkaq, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, nën drejtimin e Rozata Hajdarit, miratoi plotësim-ndryshimin e rendit të ditës, duke përfshirë shqyrtimin e vendimit të Qeverisë lidhur me emërimin e shtatë drejtorëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili u përkrah nga shumica e anëtarëve.

Ky komision gjithashtu miratoi projektligjet për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare të paraqitura nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfaqësuar nga Mimoza Kusari-Lila, përfshirë marrëveshjen për tregti të lirë me shtetet e EFTA-s dhe protokollet shtesë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Po ashtu, Komisioni për Ekonomi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Në anën tjetër, Komisioni për Shëndetësi, i kryesuar nga Haxhi Avdyli, shqyrtoi dhe miratoi raportin me rekomandime për Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke e proceduar atë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.


Go to TOP