KOMF-i reagon ndaj trajnerit që e goditi sportisten 8-vjeçe
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar ndaj rastit të trajnerit Valmir Fetiu, që u pa duke e goditur me shuplakë taekwondisten V.F.
Kjo organizatë ka thënë të dielën se shpreh shqetësimin e thellë për rastin, duke theksuar se dhuna ndaj fëmijëve është shqetësuese, e papranueshme dhe e sanksionuar me Kodin Penal. KOMF-i ka bërë apel që institucionet të zbatojnë menjëherë legjislacionin për këtë rast.
“Dhuna nuk ka arsyetim, nuk duhet përdorur kurrë si mjet disiplinimi, pasi ajo dëmton mirëqenien emocionale dhe zhvillimin psikologjik të fëmijëve, duke krijuar frikë dhe pasiguri në vend të respektit dhe vetëbesimit.
Po ashtu, KOMF thekson se federatat dhe klubet sportive duhet të kenë rregullore të posaçme dhe procedura për mbrojtjen e fëmijës me qëllim të krijimit të një sistemi të brendshëm që parandalon dhe reagon ndaj shkeljeve të të drejtave të fëmijës. Ne kemi përgjegjësinë kolektive për të garantuar se fëmijët zhvillohen në mjedis të sigurt dhe përkujdesës, ku të drejtat e tyre themelore mbrohen”, thuhet në reagimin e bërë në Facebook.