KOMF: Fëmija 5-vjeçar në gjendje kritike, kërkohet hetim për dështim institucional

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim të thellë për rastin e rëndë të një fëmije 5-vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është dërguar në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike, pas dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit.

Sipas të dhënave, familja kishte qenë e njohur për institucionet tash e katër vite, çka sipas KOMF dëshmon për dështim serioz në reagimin dhe funksionimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve.

KOMF thekson se shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë për fëmijët në rastet kur familja dështon duke kërkuar hetim të plotë institucional për gjithë zinxhirin e institucioneve të përfshira dhe marrjen e masave konkrete për të siguruar llogaridhënie.

Po ashtu, organizata nënvizon nevojën urgjente për reforma në sistemin e mbrojtjes sociale duke kërkuar rritjen e numrit të punonjësve socialë dhe fuqizimin e kapaciteteve në Qendrat për Punë Sociale.

Në reagim, KOMF u bën thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar për dhunë, neglizhencë apo keqtrajtim tek Policia e Kosovës apo institucionet përkatëse duke theksuar se reagimi në kohë mund të shpëtojë jetë. /Kosova.info/


Go to TOP