Kombëtarja e Kosovës në hendboll grumbullohet në Suedi – përgatitje për dy sfidat e forta ndaj Suedisë
Kombëtarja A e Kosovës në hendboll është grumbulluar sot në Suedi, në prag të dy ndeshjeve shumë të rëndësishme ndaj Suedisë, në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Ndeshja e parë zhvillohet të enjten në Suedi, ndërsa përballja e kthimit luhet të dielën e ardhshme në Prishtinë. Dy duelet pritet të jenë tejet të vështira, pasi Kosova përballet me një prej kundërshtareve më të forta të mundshme në këtë fazë të garave.
Pavarësisht sfidës, Kombëtarja është e përkushtuar të japë më të mirën nga ky grumbullim, si në aspektin taktik, ashtu edhe në përgatitjen psikologjike të ekipit. Atmosfera në kampin e përfaqësueses është pozitive dhe me përqendrim maksimal në synimin për të treguar lojë dinjitoze dhe për të përfaqësuar Kosovën me nder në skenën ndërkombëtare. /Kosova.info/
