Komandanti i FSK-së, uron `Ditën e Forcës`: Faleminderit për shërbimin!
Me rastin e Ditës së Forcës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka uruar të gjithë personelin ushtarak dhe civil të FSK-së.
Në urimin e tij Komandanti i FSK-së shpreh respekt dhe mirënjohje të sinqertë për të gjithë pjesëtarët e FSK-së për kontributin dhe angazhimin e pakursyer që janë duke e dhënë.
“Të nderuar ushtarë, nënoficerë, oficerë, kadetë dhe shërbyes civil të Forcës së Sigurisë së Kosovës, falë përkushtimit dhe punës suaj të palodhshme, sot jemi më të përgatitur se kurrë, duke u radhitur krah për krah me partnerët tanë në mbrojtje të paqes dhe sigurisë kudo në botë.
Angazhimi i juaj meriton falënderim të veçantë dhe mirënjohje të pafundme, pasi vetëm përmes përkushtimit dhe punës tuaj të palodhshme do të arrijmë realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta.
Faleminderit të gjithëve për shërbimin ndaj atdheut dhe punën e palodhshme që jeni duke e bërë për ngritjen dhe avancimin e FSK-së”, ka thënë Gjenerallejtënant Bashkim Jashari. /Kosova.info/