Kolegjium i Kryeprokurorëve për transparencë dhe përmirësim të cilësisë së aktakuzave
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive, si dhe me prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të projektit rajonal të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar “Integriteti gjyqësor”, i zbatuar nga organizata Security Criminal Justice Solutions (SCJS), përfaqësuar nga ekspertët Nick Hawkins dhe Douglas Mackay. Diskutimet u fokusuan në objektivat e projektit duke përfshirë monitorimin cilësor të aktakuzave dhe përgatitjen e lëndëve nga prokurorët.
Gjithashtu, u trajtuan çështje profesionale që hyjnë në kompetencë të prokurorit të Shtetit, me theks të veçantë në rritjen e cilësisë së akteve akuzuese.
Për të avancuar transparencën institucionale dhe për të forcuar komunikimin me publikun, u.d. Kryeprokurori dhe kryeprokurorët zhvilluan një bashkëbisedim të hapur dhe konstruktiv me zyrtarët për komunikim publik në prokurori. U diskutua rëndësia e ndërtimit të një qasjeje proaktive, unike dhe të koordinuar në komunikim duke theksuar se transparenca dhe bashkëpunimi me mediat janë çelësi për forcimin e besimit qytetar dhe realizimin e objektivave institucionalë.
Me këtë rast, z. Kelmendi inkurajoi zyrtarët për komunikim publik që të vazhdojnë angazhimin e tyre në këtë drejtim. /Kosova.info/
