Klubi ‘Policia e Kosovës’ përfaqëson vendin në Kampionatin Ballkanik për Kadetë në Bihaq – kritika ndaj arbitrimit të padrejtë

Më 24 dhe 25 maj 2025, në qytetin e Bihaqit të Bosnjës dhe Hercegovinës, u mbajt Kampionati Ballkanik për Kadetë në xhudo, ku morën pjesë të gjitha shtetet e Gadishullit Ilirik, përjashtuar Serbinë. Në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare, për herë të katërt jashtë Kosovës, mori pjesë edhe klubi i xhudos “Policia e Kosovës” me dy garues të rinj.

Në kategorinë U18 -55 kg garoi Valdrin Pnishi, i cili u eliminua në luftën e parë. Ndërkohë, në kategorinë U18 +70 kg, Ana Sopjani – ndonëse me peshë gati për gjysmë më të vogël se kategoria – arriti të shkojë deri në repasazh në rrugëtimin për medalje, por nuk ia doli të triumfojë.

Klubi “Policia e Kosovës” shpreh mirënjohje të veçantë për Shoqatën e Sporteve të Policisë së Kosovës, që bëri të mundur këtë pjesëmarrje, si dhe për Drejtorin e Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, për përkrahjen dhe përkushtimin në promovimin e sportit në institucione. Sipas klubit, kjo nismë po fiton gjithnjë e më shumë vlerë dhe domethënie.

Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe mikeshës Ariana Jahaj dhe kolegut të gjeneratës, Husein Ramic, për mikpritjen dhe përkushtimin në organizimin e këtij turneu, i cili u vlerësua si shembullor.

Megjithatë, organizimi nuk kaloi pa kritika. Klubi i “Policisë së Kosovës” ngriti shqetësime të mëdha për arbitrimin e ndeshjeve duke e cilësuar atë si “turpin e kampionatit”, pasi dy nga garuesit më të mirë të Kosovës u diskualifikuan pa të drejtë. Kjo padrejtësi u konsiderua si njollë në një garë ndryshe të organizuar në mënyrë të shkëlqyeshme.

“Ne do të vazhdojmë pandalur të përgatitemi për garat e radhës, me besimin e palëkundur se fitoret do të jenë të padiskutueshme. Sepse vetëm fitues e meritojmë të jemi si shtet, si institucion dhe si popull”, thuhet në reagimin e klubit. /Kosova.info/


Go to TOP