KGJK dënon ndërhyrjet politike ndaj PZAP: Presioni rrezikon besimin në procesin zgjedhor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka reaguar me shqetësim ndaj ndërhyrjeve politike që po ushtrohen mbi Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) duke i cilësuar ato të papranueshme dhe të rrezikshme për rendin kushtetues.

Në deklaratën e tij, KGJK thekson se PZAP është institucion i pavarur dhe çdo tentativë për ta ndikuar përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë.

“Tolerimi i këtij presioni politik rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në institucionet e drejtësisë,” thuhet në reagim.

KGJK u ka bërë thirrje të gjithë akterëve që të ndalin menjëherë këto praktika dhe të adresojnë pakënaqësitë e tyre përmes rrugëve ligjore.

Këshilli ka riafirmuar gjithashtu angazhimin e plotë për të mbrojtur pavarësinë institucionale dhe ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj çdo forme presioni që cenon funksionimin e drejtë dhe të ligjshëm të sistemit gjyqësor në vend. /Kosova.info/


Go to TOP