KFOR shënon Ditën Ndërkombëtare në Prishtinë: Uniteti na bën të fortë

Sot, misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR, shënoi Ditën Ndërkombëtare në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City, Prishtinë. Ngjarja mblodhi së bashku personel civil dhe ushtarak nga 33 shtete kontribuuese – përfshirë Aleatët e NATO-s dhe partnerët – si dhe stafin lokal dhe familjet e tyre.

“Po i festojmë njerëzit që punojnë për KFOR-in, ata që qëndrojnë pranë KFOR-it, dhe familjet e tyre të mrekullueshme e të dashurit e tyre. Duke ndarë të gjitha këto, shpresojmë të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, sepse vetëm duke u njohur vërtet me njëri-tjetrin mund të ndjehemi vërtet të bashkuar, dhe uniteti është vlera e vërtetë që na lidh së bashku dhe e bën KFOR-in të fortë”, tha Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani.

Dita Ndërkombëtare është një dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të KFOR-it për gjithëpërfshirje, respekt dhe mbështetje të ndërsjellë mes të gjitha përbërësve të saj – ushtarakë, civilë dhe staf lokal – në përputhje me mottën e KFOR XXIX – “Unitas Omnia Vincit”: uniteti i mposht të gjitha.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe liri të lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në rolin e vet si garantues të sigurisë. /Kosova.info/


Go to TOP