Këta janë fituesit në 7 komunat e mëdha të Kosovës sipas sondazhit të Baton Haxhiut
Gazetari Baton Haxhiu ka bërë të ditur rezultatin e Exit Poll-it për shtatë komunat e mëdha të Kosovës.
Sipas tij, PDK-ja ka fituar në tri komuna, LDK-ja në dy komuna, AAK-ja në një komunë dhe Vetëvendosje në një komunë.
Ai ka thënë se PDK-ja është e para në Komunën e Prizrenit, Vushtrrisë dhe të Drenasit.
Në Prizren, Haxhiu ka thënë se Shaqir Totaj nga PDK ka fituar me 50.5 për qind të votave, ndërsa Mytaher Haskuka nga VV ka marrë 49.5 për qind të votave.
Në Komunën e Vushtrrisë, sipas sondazhit të Baton Haxhiut, fitues është Ferit Idrizi nga PDK me 55 për qind të votave, ndërsa Xhafer Tahiri nga LDK ka marrë 45 për qind të votave.
Në Drenas, Haxhiu ka thënë se fitues është Ramiz Lladrovci nga PDK me 60 për qind të votave, ndërsa Driton Ajazaj nga Demokratët për Drenasin, ka marrë 40 për qind të votave.
LDK-ja në anën tjetër ka fituar në dy komuna.
Baton Haxhiu ka thënë se në Prishtinë ka fituar Përparim Rama i LDK-së me 50.98 për qind të votave, ndërsa Arben Vitia nga VV-ja ka marrë 49.02 për qind të votave.
Në Gjilan, sipas Haxhiut ka fituar Lutfi Haziri nga LDK me 50.5 për qind të votave, ndërsa Alban Hyseni i VV-së ka marrë 49.5 për qind të votave.
Baton Haxhiu ka bërë të ditur se AAK-ja do të fitojë në Gjakovë me 53 për qind të votave, ndërsa VV-ja në këtë komunë ka marrë 47 për qind të votave.
Vetëvendosje në anën tjetër ka fituar sipas Haxhiut vetëm në një komunë, ku ka marrë 50.4 për qind në Komunën e Podujevës.
Kujtojmë se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës janë mbyllur në ora 19:00.
