Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e rëndë në fshatin Balaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Themelore në Ferizaj me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit B.R., nga komuna e Ferizajt, i cili dyshohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan kosova.info.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se më 15 shtator 2025, rreth orës 19:42, në fshatin Balaj të Ferizajt, pas një mosmarrëveshjeje të hershme për çështje pronësore, i pandehuri B.R. është përballur me viktimën I.R., djalin e axhës së tij. Pas një debati verbal, B.R. ka nxjerrë armën e tipit ZIG 14 TISAS dhe ka shtënë katër herë në drejtim të viktimës, duke e goditur në pjesën e sipërme të trupit. Si pasojë e plagëve të marra, I.R. ka ndërruar jetë gjatë transportit për në Qendrën Emergjente të Ferizajt.

Nga data 15 shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për shkak të rrezikut të ndikimit në procedurë dhe ashpërsisë së veprës penale./Kosova.info/


Go to TOP