Kërkesat për vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi, brenda dy jave tre të dërguarit nga SHBA, BE e Britani vizituan rajonin

Brenda dy jave rajonin e kanë vizituar i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ai i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Britanisë së Madhe, Stuart Peach.

Derisa më 31 janar në vizitë të përbashkët në Kosovë, e pastaj në Serbi ishin Escobar dhe Lajçak, sot në vizitë në Kosovë, pas asaj në Serbi ndodhet i dërguari i Britanisë së Madhe, Peach.

Vizitat e tre të dërguarve për Ballkanin Perëndimor pritet t’i japin shtytje dialogut Kosovë-Serbi.

I dërguari i SHBA-së, Escobar gjatë qëndrimit në Kosovë theksoi se SHBA mbështet fuqishëm sovranitetin e Kosovës dhe se duhet të gjenden modele që nuk dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut nuk jemi pjesë e negociatave por siç tha z.Lajcak ne besojmë që të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, megjithatë ne nuk kemi ardhur këtu me ndonjë propozim se çfarë duam të imponojmë, ne po u kërkojmë të dyja palëve të tregohen konstruktive dhe të na tregojnë vizionet e tyre sesi duhet të duket Asocioacioni dhe të vazhdojmë nga aty brenda kornizës së dialogut”, ishte shprehur Escobar.

“Ajo çfarë kam thënë kur kam thënë që ka shumë opsione më krijimin e një Asociacioni, ka qenë për të thënë se nuk është e thënë që të jenë modele që dëmtojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës.  Duhet të gjendet një prej modaliteteve që nuk e cenojnë pavarësinë”, ka thënë ai.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Kosova është palë e barabartë në dialog dhe se nuk duhet t’i frikësohet krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak më tej theksoi se askush nuk e dëshiron një “republikë serbe” në Kosovë.

“Nuk përjashtojmë asnjë rezultat. Nuk imponojmë asnjë rezultat. I takon Kosovës dhe Serbisë të bien dakord se cili do të jetë ai rezultat përfundimtar”, ishte shprehur ai, duke shtuar se mandati i tij është lehtësimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, sot për vizitë në Kosovë pas asaj në Serbi ndodhet i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Po kush janë tre të dërguarit special, ai i SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe i BE-së?

Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar u njoftua zyrtarisht se Gabriel Escobar është i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, thuhej se Escobari “po punon në dialogun Kosovë – Serbi, që po lehtësohet nga BE-ja, sigurimin për anëtarësimin rajonal (Ballkanin Perëndimor) në BE dhe presionin e udhëheqësve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe respektimin e sovranitetit/integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në një postim në Facebook, Ambasada amerikane kishte uruar përfaqësuesin e ri për Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksonte se Escobar tashmë është duke punuar në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Urime përfaqësuesit të ri special në Ballkanin Perëndimor, zëvendës ndihmës sekretarit Gabriel Escobar! Ai tashmë është duke punuar në dialogun Serbi-Kosovë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke siguruar aderimin e rajonit në BE dhe duke ushtruar presion ndaj krerëve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe për të respektuar sovranitetin/integritetin territorial të BeH”, thuhej në postimin e Ambasadës amerikane në Kosovë.

Ndërkaq, më 3 prill 2020 ishte njoftuar se Miroslav Lajçak është edhe zyrtarisht Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Këshilli i BE-së përmes një njoftimi për media theksonte se detyra e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jetë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Ndërsa, më 2 dhjetor 2021 Mbretëria e Bashkuar emëroi Stuart Peach të Dërguar të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka emëruar Sir Stuart Peach të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Në njoftimin për media thuhet se si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.

Sir Stuart Peach ka marr detyrën e re pasi ka dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

“Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhej në njoftim.

Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç”.

Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në përgjigjen ndaj sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dhe luftën ndaj grupeve të krimit të organizuar. Mbretëria e Bashkuar do të luajë një rol të rëndësishëm, duke punuar ngushtë me qeveritë e Rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhej në njoftimin e Ambasadës britanike.

Go to TOP