Kelmendi: Papërgjegjësi dhe pafytyrësi në trajtimin e krimeve të luftës
Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po trajtohen krimet e luftës në Kosovë duke kritikuar publikisht publikimet dhe aktivitetet e fundit që, sipas tij, janë realizuar pa hulumtim të mirëfilltë dhe me mbështetje nga fondet publike.
Kelmendi ka theksuar se për vite me radhë ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt në terren për dokumentimin e krimeve të forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë duke intervistuar qindra të mbijetuar dhe duke trajtuar masakra të rënda si ato në Qyshk, Pavlan, Zahaq, si dhe në rajone të Pejë, Gjakovë dhe Izbicë.
Ai ka përmendur gjithashtu kontributin e tij në dokumentimin e djegies së kufomave të shqiptarëve në kompleksin industrial të Trepça, si dhe publikimet e shumta në Koha Ditore.
Sipas tij, një nga projektet më të rëndësishme ka qenë seria e dokumentarëve për masakrën e Qyshkut, e prodhuar nga National Public Radio, e cila ka fituar disa çmime prestigjioze në Shtetet e Bashkuara. Një version i këtij dokumentari është transmetuar njëkohësisht në disa gjuhë, përfshirë edhe ditën kur nisi gjykimi ndaj Slobodan Milošević në Hagë.
Kelmendi ka theksuar bashkëpunimin e tij me organizata ndërkombëtare si Human Rights Watch dhe Fondi për të Drejtën Humanitare, në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Megjithatë, ai nënvizoi se asnjëherë nuk ka marrë përsipër të botojë një libër për këtë temë, për shkak të ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë së madhe që kërkon trajtimi i tillë.
Në reagimin e tij, ai kritikoi ashpër individë të paidentifikuar që, sipas tij, publikojnë libra dhe organizojnë ekspozita pa hulumtim serioz duke përdorur edhe mjete nga taksapaguesit.
Po ashtu, ai reagoi ndaj përfshirjes së Natasha Kandić në këtë debat duke e konsideruar të papranueshme që faji t’i atribuohet një figure që, sipas tij, ka kontribuar ndjeshëm në dokumentimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve.
“Papërgjegjësi dhe pafytyrësi e madhe!”, ka përfunduar reagimin e tij Kelmendi. /Kosova.info/
