Kelmendi nga Haga: Herën e fundit do të nisim bashkë drejt Kosovës
Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi ka ndarë një mesazh emocional nga seanca e radhës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku pas dy vjet e gjysmë nga vizita e fundit në qelitë e paraburgimit, ka takuar nga afër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai ka bërë të ditur se në sallën e gjyqit ka parë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, me të cilët është përshëndetur nga të dy anët e xhamit.
“Kjo do të jetë hera e parafundit që i shoh në Hagë. Hera e fundit do të jetë, së shpejti, duke u nisur bashkë nga Haga drejt Kosovës”, ka shkruar Kelmendi, duke shprehur bindjen e tij për një epilog të afërt të procesit.
Në një mesazh drejtuar trupit gjykues, ai ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte për drejtësi dhe kundër shtypjes së popullit shqiptar nga regjimi i Slobodan Milošević.
“Të dashur gjykatës, ne luftuam për drejtësi, kundër shtypjes së popullit tonë nga Milosheviqi! Edhe nga ju kërkojmë drejtësi, ta njihni të drejtën tonë në angazhimin kundër padrejtësive të Milosheviqit!”, ka cituar ai.
Sipas Kelmendit, në seancën e sotme u paraqitën katër këndvështrime të ndryshme të të njëjtit ideal – luftës për liri. Thaçi u mbështet në rrugëtimin historik të tij dhe të Kosovës, Veseli në të drejtën universale të lirisë, Selimi në të drejtën politike, ndërsa Krasniqi në dimensionin emocional të përballjes me procesin gjyqësor.
“Katër kapituj të një rrëfimi”, e përshkroi ai seancën, duke e cilësuar atë si një moment që përmbledh jo vetëm mbrojtjen juridike të të akuzuarve, por edhe narrativën historike të luftës për çlirim. /Kosova.info/
