Kelmendi: Kurti hodhi bastin më të madh politik – rrezikon të mbetet pa Osmanin dhe Konjufcën

Analisti Adriatik Kelmendi ka vlerësuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndërmarrë sonte “bastin më të madh politik” që nga ardhja e tij në pushtet.

Sipas Kelmendit, vendimi për të mos e kandiduar për presidente Vjosa Osmani, si dhe për ta propozuar Glauk Konjufcan për këtë post, tregon se Kurti është i gatshëm t’i ndajë rrugët me dy nga figurat më të fuqishme politike që e kanë shoqëruar në ngritjen e tij elektorale.

Ai thekson se vetëm pas partneritetit me Osmanin, Kurti arriti të dyfishojë mbështetjen duke kaluar nga rreth 26% në mbi 50% të votave në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, Konjufca konsiderohet si një ndër politikanët më të votuar në historinë politike të Kosovës.

Kelmendi vë në pah se, nëse Konjufca do të zgjidhej President, ai do të duhej të jepte dorëheqje nga funksionet partiake në Lëvizjen Vetëvendosje, çka do ta linte Kurtin pa dy figura kyçe brenda spektrit të tij politik.

Megjithatë, sipas tij, gjasat që Konjufca të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur President mbeten minimale.

“Veprim i guximshëm”, përfundon Kelmendi duke e cilësuar këtë lëvizje si një moment me peshë të madhe për të ardhmen politike të Kurtit dhe balancat brenda skenës politike në vend. /Kosova.info/


Go to TOP