Kelmendi: Kërkesat për 45 vjet burgim për krerët e UÇK-së janë super-revanshizëm politik

Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj kërkesave të Prokurorisë në Hagë për dënime deri në 45 vjet burgim ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me parimet e drejtësisë.

Sipas Kelmendit, drejtësia nuk duhet t’u shërbejë inateve historike dhe revansheve politike. Ai ka theksuar se populli i Kosovës e ka merituar lirinë dhe se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë luftuar për liri, prandaj duhet të kthehen të lirë në Kosovën e lirë.

“Kjo nuk është kërkesë për drejtësi, por kërkesë për super-revanshizëm politik. Synohet që krerët e UÇK-së të dënohen më shumë se Pavkoviqi, Lukiqi, Shainoviqi e Lazareviqi,” ka deklaruar Kelmendi duke shtuar se po tentohet një barazim i papranueshëm mes atyre që mbrojtën pragun e shtëpisë dhe një hierarkie shtetërore që masakroi mbi 10 mijë civilë në Kosovë.

Ai ka rikujtuar se gjatë konfliktit në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur 13.535 persona, prej tyre 10.812 shqiptarë, 2.197 serbë dhe 526 nga komunitete të tjera, sipas të dhënave të “Kosovo Memory Book”. Pavarësisht kësaj, asnjë nga zyrtarët e lartë serbë të dënuar nga Tribunali i Hagës (ICTY) për krime të dokumentuara në Kosovë nuk ka marrë dënim më të lartë se 22 vjet burgim.

Kelmendi ka përmendur dënimet konkrete të dhëna nga ICTY duke theksuar se Nebojsha Pavkoviq u dënua me 22 vjet, Sreten Lukiq me 20, Nikola Shainoviq dhe Vlastimir Gjorgjeviq me nga 18, Vladimir Lazareviq me 14 dhe Dragoljub Ojdaniq me 15 vjet burgim.

“Paramendojeni: hierarki shtetërore, mbi 10 mijë të vdekur, dhe asnjëri nuk mori më shumë se 22 vjet. Ndërsa këndej, udhëheqësit e një ushtrie guerile pretendohet të dënohen me nga 45 vjet nga një gjykatë që u themelua për ‘tregti organesh’ dhe përfundoi krejt diku tjetër,” ka theksuar ai.

Në fund, Kelmendi ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për mbylljen e këtij procesi duke e cilësuar atë si farsë: “Jepini fund farsës në Hagë!”. /Kosova.info/


Go to TOP