Kelmendi: Edhe me LDK-në në Qeveri, Presidenti s’do zgjidhej – përgjegjësia nuk është e Abdixhikut
Analisti Adriatik Kelmendi ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike duke theksuar se edhe në rast se LDK do të pranonte të bëhej pjesë e Qeverisë apo të merrte postin e Kryetarit të Kuvendit, vendi sërish do të përfundonte në zgjedhje për shkak të mungesës së votave për Presidentin.
Sipas tij, vetë Albin Kurti e ka pranuar disa herë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë së bashku vetëm 81-82 deputetë, ndërkohë që për zgjedhjen e Presidentit nevojiten të paktën 84-85 vota.
Kelmendi thekson se kjo e përjashton mundësinë që faji për dështimin eventual t’i atribuohet LDK-së apo kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku. Ai kritikon reagimet e zyrtarëve të VV-së ndaj LDK-së duke thënë se askush nuk po e vë në pikëpyetje qëndrimin e Kurtit lidhur me numrat.
“Matematikisht, 66 vota plus 15 të LDK-së bëjnë 81. Me 81 vota nuk zgjidhet Presidenti. Pyetja është: çka ndodhi me ato 84-85 vota që i përmendte vetë Kurti?”, ka deklaruar ai.
Sipas Kelmendit, debati aktual më shumë po përdoret për pozicionim politik para zgjedhjeve të mundshme, sesa për gjetjen e një zgjidhjeje reale institucionale. /Kosova.info/
