Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, deputetët besojnë në drejtësi: Edhe pse ka çaluar procesi

Sot bëhen katër vjet që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë dërguar në paraburgim në Hagë. Deputetët shprehin optimizëm se Gjykata Speciale do t’i shpallë ata të pafajshëm.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, beson se katër ish-krerët e UÇK-së do të dalin të pafajshëm. Ai thekson se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe çlirimtare, dhe jo një luftë okupimi kundrejt Serbisë.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që do të dalin të pafajshëm. Lufta e UÇK-së ka qenë një luftë çlirimtare dhe e drejtë, dhe besojmë thellë që drejtësia do të vërtetojë pastërtinë e kësaj lufte. Ish-krerët e UÇK-së që po përballen me këtë proces gjyqësor do të fitojnë më në fund lirinë e tyre, e cila tashmë ka katër vjet që u mohohet. Ne duhet të kemi gjithmonë besim në drejtësi,” ka deklaruar Dugolli për Ekonomia Online.

Ai gjithashtu thekson se, krahas hetimeve për UÇK-në, duhet të ketë hetime për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Nëse analizojmë se çka është bërë për të hetuar krimet e Serbisë kundër shqiptarëve, krahasuar me hetimet për UÇK-në, bilanci është negativ për shqiptarët. Krimet e Serbisë ndaj popullatës civile duhen hetuar dhe drejtësia duhet të veprojë,” ka shtuar Dugolli.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, gjithashtu beson se drejtësia do të vendoset në favor të UÇK-së dhe se nuk ka pasur bazë për ngritjen e aktakuzave nga fillimi i procesit.

“Kam besim të plotë se drejtësia do të mbështesë vlerat e UÇK-së dhe se liderët e saj do të shpallen të pafajshëm. Aktakuzat bazohen në raportin e Dick Martyt, i cili ka qenë i diskutueshëm që nga fillimi. Zgjerimi i hetimeve deri në dhjetor 2000 është një shkelje e padrejtë pasi UÇK-ja e përfundoi misionin e saj në qershor 1999,” ka deklaruar Berisha.

Ai theksoi se UÇK-ja nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprat e kryera pas shpërbërjes së saj, dhe se gjykata ka marrë një drejtim politik në vend të vendosjes së drejtësisë.

Krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, duke pritur përfundimin e procesit të tyre gjyqësor.

Go to TOP