Kastrati: Të lëmë fëmijët jashtë politikës, të hulumtojmë dështimet e vërteta të liderëve

Gazetari Zejdush Kastrati ka reaguar lidhur me debatin publik për shkollimin privat të fëmijëve të presidentes Vjosa Osmani duke e cilësuar këtë si një temë të dorës së dytë në raport me problemet e vërteta që ka vendi.

Ai ka theksuar se më shumë peshë për publikun do të kishte nëse do të sqarohej burimi i financimit për shkollimin e tyre – qoftë nga buxheti familjar, donatorë apo burime të panjohura, por megjithatë, sipas tij, fokusi kryesor duhet të jetë te fenomeni i përhapur i regjistrimeve falas apo me çmime të përgjysmuara të fëmijëve të gazetarëve, redaktorëve, pronarëve mediave dhe politikanëve në shkolla private.

“Kemi raste kur përveç regjistrimit gratis ose me gjysmë çmimi, disa fëmijëve të disa gazetarëve u dërgohet edhe ushqim special gjatë ditës nga kompani ndërkombëtare të ushqimit të shpejtë, e jo nga mensa e kolegjit,” ka theksuar Kastrati.

Sipas tij, kjo praktikë tregon për modelin e interesave të ndërsjella “unë ty, ti mua”, që dëmton etikën si në media, ashtu edhe në politikë.

“Leni fëmijët, merruni me tema të tjera nga fusha e përgjegjësisë së presidentes dhe liderëve të tjerë. Kjo është temë e ulët për një shoqëri që ka aq shumë sfida reale,” ka theksuar Kastrati.

Ai megjithatë ka shprehur mosdakordësinë e tij me mënyrën si presidentja Osmani ka reaguar duke numëruar dobësitë dhe problemet higjienike e infrastrukturore të shkollës publike ku kishte pasur deri tani fëmijët e saj.

“Sikur presidentja të ishte deklaruar më herët për gjendjen e përgjithshme të arsimit në vend, shqetësimi i saj do të kishte më shumë kredibilitet. Liderët tanë kanë mëkate e dështime të tjera që duhen hulumtuar e publikuar, jo se ku i shkollojnë fëmijët,” përfundoi gazetari. /Kosova.info/


Go to TOP