Kajtazi: Një muaj pas deklaratës së presidentes, siguria nacionale mbetet e rrezikuar ose e gënjyer
Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka reaguar lidhur me mungesën e veprimeve institucionale pas deklaratës së bërë nga presidentja e vendit më shumë se një muaj më parë, e cila kishte thënë se në Gjykatën Kushtetuese ndodhet një person që rrezikon sigurinë nacionale – një aludim që, sipas interpretimeve, nënkuptonte spiunazh në favor të Serbisë, shtetit armik të Kosovës.
Kajtazi thekson se një deklaratë e tillë, në çdo shtet normal, do të duhej të ngjallte alarm institucional dhe të nxiste veprime të menjëhershme hetimore e politike. “Mirëpo, asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Situata mbetet e pandryshuar, gjë që do të thotë se, nëse deklarata e presidentes është e vërtetë, atëherë për më shumë se një muaj siguria nacionale e vendit ka qenë dhe vazhdon të jetë e rrezikuar,” ka theksuar ai.
Në anën tjetër, Kajtazi ngre një dilemë të fortë: “Fakti që nuk është ndërmarrë asnjë veprim, hap mundësinë që presidentja ka gënjyer. Dhe një popull që ka për presidente një gënjeshtare, e ka të zymtë, të dëshpëruar dhe të pashpresë të ardhmen e vet.”
Eksperti i sigurisë ka kritikuar ashpër edhe heshtjen e partive politike duke thënë se mosreagimi i tyre ndaj një deklarate kaq të rëndë tregon ose mungesë të kapaciteteve për të kuptuar peshën e skandalit, ose një indiferencë të qëllimshme që e shndërron gënjeshtrën në normë politike.
“Sido që të jetë, pasoja është e njëjtë: rënia e besimit në institucionet e shtetit dhe normalizimi i mashtrimit si pjesë e kulturës sonë politike,” përfundon Kajtazi. /Kosova.info/
