Juventusi futet në garë për Rashford-in
Sulmuesi anglez, Marcus Rashford mund të largohet nga Manchester United këtë verë dhe interesimi për të po rritet gjithnjë e më shumë.
Sipas “Sky Italia”, Juventus është klubi i fundit që është futur në garë për sulmuesin anglez, i cili është vendosur në listën e largimeve nga “Djajtë e Kuq” dhe tashmë është zhveshur nga fanella me numrin 10.
Përveç “Zonjës së Vjetër”, interesim konkret për Rashford kanë shfaqur edhe Barcelona dhe Bayern Munich.
Juventus dhe Barcelona preferojnë një formulë huazimi me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, por te katalanasit duket se ka nisur të zbehet entuziazmi për transferimin e tij.
Gazetari spanjoll Javi Miguel këtë javë ka raportuar se drejtori sportiv i Barçës, Deco është pengesa kryesore e transferimit te sulmuesit anglez në ‘Camp Nou’.
“Deco mbetet pengesa kryesore për operacionin Rashford. Ende ka mospërputhje të theksuara brenda Komitetit Sportiv lidhur me përforcimet në sulm. Prioriteti i Barcelonës për momentin është të largojë lojtarë për të liruar hapësira në buxhetin e pagave”, ka shkruar Miguel.
E ardhmja e Rashford mbetet e paqartë, por një gjë është e sigurt: skuadrat evropiane janë të gatshme për të përfituar nga situata e tensionuar në “Old Trafford”.
