Joseph: Vizita e shefit të CIA-s sinjal i brengës në Uashington për Ballkan

Profesori amerikan Edward P. Joseph, ka vlerësuar se vizita në Kosovë dhe disa shtete të Ballkanit e shefit të CIA-s, William J. Burns, nuk është një vizitë lumturie. Sipas tij, kjo vizitë është sinjal i brengës në Uashington lidhur me tensionet dhe potencialin e një lloj konfrontimi në Ballkan.

“Kjo nuk është një vizitë e lumtur, nuk është një lloj vizite e nivelit të Bill Clintonit, Hillary Clintonit, ndonjë sekretari, siç është sekretari Blinken, ose diçka e ngjashme. Kjo nuk është diçka e mirë, sepse William J. Burns, për momentin është i përshirë shumë seriozisht në negociatat për ndaljen e luftimeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe ky është top prioritet kryesor për administratën e SHBA-ve. Për atë që të vjen në Ballkan, për të vizituar Kosovën, Serbinë, Bosnjën, ndoshta do të ndalet edhe në Bullgari, edhe në Maqedoni të Veriut”, tha Joseph për Lajmet e Fundit në RTK.

Profesori amerikan tha se shefi i CIA-s, vjen në Ballkan, sepse Uashingtoni i sheh këto pika vështirësishë e problemesh.

“Kjo nuk është vizitë e lumtur. Duhet të jemi shumë të qartë për këtë. Është një vizitë fatkeqe dhe një sinjal i brengës në Uashington lidhur me tensionet dhe potencialin e një lloj konfrontimi në Ballkan”, tha ai.

Joseph tha se askush nuk e di se çfarë mesazhi ka sjellë shefi i CIA-s, William J. Burns.

Sipas tij, shpresohet se me këtë vizitë në Kosovë do të ketë zhvillime pozitive dhe marrëdhënie të përmirësuara ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe ShBA-ve në linjat mbi të cilat ka sugjeruar ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Go to TOP