Joseph: Kosova e ka e para obligimin e Asociacionit, Perëndimi duhet t’i japë shtytje dhe besim

Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka komentuar sa i përket aneksit të zbatimit të marrëveshjes arritur mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e Ohrit. Ai tha se e para është Kosova e cila e ka obligimin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e që sipas tij, Perëndimi duhet t’i japë shtytje dhe besim.

Joseph tha se marrëveshja për rrugën e normalizimit është si kritike ashtu edhe e brishtë dhe për këtë arsye ajo kërkon gjithë mbështetjen e mundshme.

“SHBA dhe BE ndajnë përgjegjësi dhe nuk mund të distancohen nga kjo marrëveshje dhe nuk mund të drejtojnë gishtin vetëm nga Serbia dhe Kosova, të cilat natyrisht kanë përgjegjësi kritike, por Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme pas kësaj marrëveshjeje”, tha ai.
Megjithkëtë, Joseph nuk la pa përmendur se dështimi i kësaj marrëveshje do të kishte pasoja të rënda.

“Nëse kjo marrëveshje dështon, do të ishte një dështim i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe do të ishte një fitore për Rusinë dhe Kinën, nuk di si ta bëj më të qartë se kaq”, thotë ai.

Sipas tij, BE’ja dhe ShBA’të kanë detyrime për ta nxitur këtë marrëveshje.

“Ky është gabim i madh. Dhe unë jam vërtet i zhgënjyer kur dëgjoj zyrtarë shumë të mprehtë dhe të aftë si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të përdorin këtë retorikë standarde, që takon palëve, është në dorën e palëve. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është e vërtetë. Kjo marrëveshje quhet propozim i BE-së dhe aty ka detyrime për BE-në dhe SHBA e ka nxitur atë. Nuk duhet të ketë një retorikë të tillë”.

Prof. Joseph thotë se Perëndimi duhet gjithashtu që të veprojë me vendosmëri për t’u dhënë fund mëdyshjeve nëse marrëveshja është e detyrueshme ose jo.

“BE-ja duhet ta elimimojë këtë paqartësi dhe mund ta bëjë këtë shumë thjesht, duke e regjistruar këtë marrëveshje në Kombet e Bashkuara”, thotë ai.

Sipas tij, në këtë mënyrë eliminohen hijet e dyshimit për respektimin e detyrimeve nga të gjitha palët dhe përveç kësaj, do të ishte një sinjal inkurajimi për Kosovën.

“Kjo është shumë e rëndësishme sepse Kosova ka hapin e parë, hapin e madh, një hap vendimtar për të marrë dhe që siç e kam thënë është në fakt i parakohshëm, por është një detyrim dhe ky është formimi i këtij vetëmenaxhimi apo Asociacioni, siç është quajtur me të dyja emërimet. Pra, është shumë e rëndësishme t’i jepet besim dhe një shtysë Kosovës e cila ka obligimet e para”.

Profesor Joseph thotë se shumë diplomatëve që shkojnë në rajon u pëlqen të thonë shprehjen “mos mendoni për të kaluarën, thjesht shikoni të ardhmen”, por shton se kjo është diçka shumë jorealiste.

“Mund ta imagjinosh ta thuash këtë në Ukrainë pas luftës? Imagjino edhe pesë, 10 vjet, 20 vjet pas luftës, a mund ta imagjinosh të shkosh në Ukrainë dhe të thuash ‘thjesht harro të kaluarën dhe shiko nga e ardhmja me Rusinë’?

Ai merr shkak për komentet e tij nga një shprehje e ngushëllimeve e ambasadorit amerikan në Beograd Chris Hill, për viktimat serbe të bombardimeve të NATO-s, çka nga ana njerëzore siç thotë ai, është e kuptueshme.

“Ambasadori Hill përdori saktësisht të njëjtat fjalë që përdori Joe Biden kur ishte nënpresident kur shkoi në Beograd në vitin 2016. Pse është ky një problem? Sepse shtatë vjet më vonë shohim që fjalët e nënpresidentit Biden nuk patën asnjë ndikim në Serbi. Thjesht Vuçiç dhe të tjerët thanë “faleminderit shumë, ne jemi viktimat””, tha ai për Zërin e Amerikës.

Ndërsa Joseph mendon se secila nga palët duhet mbajtur përgjegjëse, ai kujton se ish-presidenti Hashim Thaçi tani është në Hagë, bashkë me ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që nga qytetarët e vendit shihet si vënie e shenjës së barazimit me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës.

Go to TOP