Bender: Sistemi ETIAS, justifikim për vonimin e liberalizimit të vizave

Një shtyrje e mëtejshme e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën po shihet si qasje “shkurtpamëse” dhe e dëmshme për Bashkimin Evropian.

Kristof Bender, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Stabilitet Evropian ka komentuar për Radion Evropa e Lirë faktin se mund të ketë kushte të reja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Rikujtojmë se në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, më 13 tetor, zyrtarët francezë kanë propozuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit që pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023.

“Në çdo rast, insistimi për hyrjen në fuqi të ETIAS është thjesht një justifikim për të vonuar dhënien e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. ETIAS është një sistem regjistrimi për qytetarët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në zonën Schengen. Nuk do të hyjë në fuqi para fundit të vitit 2023. Nuk ka asnjë arsye për të pritur për këtë”, ka thënë Bender.

Ai ka përmendur po ashtu faktin se qytetarët e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor tashmë lëvizin pa viza dhe nuk kanë nevojë të presin për sistemin ETIAS.

Bender, i cili punon edhe për Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, ka thënë se shtetet e BE-së duhet të sigurohen se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën të merret shpejt dhe “pa kushte shtesë”.

“Kjo kërkon një përpjekje reale nga shtetet anëtare që mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën për të bindur skeptikët. Nëse nuk ka një përpjekje të tillë, skenari më i mundshëm është një vonesë e konsiderueshme e mëtejshme”, ka thënë mes tjerash ai.

“Të shtyhet sërish liberalizimi i vizave është thellësisht e padrejtë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Është gjithashtu shkurtpamëse dhe e dëmshme për BE-në, pasi minon besueshmërinë dhe ndikimin e saj në Ballkan në tërësi”, ka shtuar Bender.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.

Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Go to TOP