“Javët Kulturore Ndërkombëtare” me moton “Shqipëria mikpret botën”

“Javët Kulturore Ndërkombëtare” nisën në Tiranë. Pjesë e programit në hapje të “JKN” ishte muzika, performancë baleti kontemporan, “Carmina Burana” -finale “Fortuna” variant i shkurtuar, kori i madh i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Liceu Artistik, DJ, etj.

Këto javë do të sjellin kultura nga kontinente të ndryshme dhe do të angazhojnë shumë të rinj. Një ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se motoja e këtyre javëve është: Shqipëria mikpret botën! “Do të jetë një paradë ku marrin pjesë 17 vende, plus Bashkimin Europian, si një ndërthurje e të gjitha kulturave nën flamurin e familjes së madhe europiane. Të parët që hapin këtë udhëtim janë francezët, për të vijuar me Bashkimin Europian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedi, Egjipt, Kinë, Gjermani, Japoni, Austri, Turqi, Hungari, Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e përmbyllur me një festë, me rastin e Festave të Nëntorit me Kosovën”, bëri me dije Margariti. Sipas saj, kjo nismë është mirëpritur nga të gjithë vendet partnere. Por do t’i shërbejnë bashkëpunimit mes vendeve dhe do të gjallërojnë edhe më tej jetën artistike. Aktivitetet do të jenë të larmishme, në fokus artin, kulturën, traditën dhe më gjerë. Më parë Margariti u shpreh gjithashtu se nisma synon njohjen e kulturave nëpërmjet aspekteve të ndryshme, jo vetëm muzikës. “Jemi fokusuar në shumë grup mosha, por mbi të gjitha kemi dashur që të rinjtë e moshave nga 18 deri në 35 vjeç të kenë një larmishmëri të madhe aktivitetesh dhe jemi adresuar gjithashtu në njohjen e kulturave nëpërmjet aspekteve të ndryshme, jo vetëm muzikë, jo vetëm opera, jo vetëm balet, jo vetëm ato sektorë që janë tashmë të prekshëm për kulturën por ashtu dhe kulinari, ashtu dhe sport e do të kemi në të gjitha javët mbrëmje të dedikuara”, tha ajo. Në kuadër të kësaj nisme aktivitete do të mbahen në Vlorë, në Shkodër, në Gjirokastër, në Berat dhe në Durrës.

Go to TOP